Reja përgatit katër ndryshime, me këtë formacion Shqipëria do të tenton fitorën ndaj Polonisë


Shqipëria luan një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, pasi do të presë Poloninë në “Air Albania”, në një ndeshje direkte për vendin e dytë në grupin eliminator të Botërorit Katar 2022 dhe një fitore do të na afronte ndjeshëm me objektivin.

Në impiantin modern kuqezi do të ketë vend për rreth 22 mijë tifozë, aq sa është edhe kapaciteti maksimal i tij, ndërsa DigitAlb ka vendosur të transmetojë ndeshjen falas për miliona shqiptarë që nuk kanë arritur të sigurojnë një biletë stadium.

Trajneri Edi Reja doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku u përpoq të largojë presionin nga të tijtë, ndërsa në seancën e pasdites hodhi dritë edhe mbi formacionin me të cilin Shqipëria do të zbresë në fushë nesër në orën 20:45.Kështu në krahasim me ndeshjen ndaj Hungarisë tre ditë më parë, tekniku Italian pritet të bëjë katër ndryshime, tre prej të cilave të detyruara dhe një për zgjedhje teknike të tij.

Nuk do të jenë në dispozicion të italianit mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili u dëmtua në Budapest, mesfushori Endri Çekiçi, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, i cili ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit në testet zyrtare të UEFA-s.Në portë trajneri do të konfirmojë Etrit Berishën, që është në formë mjaft të mirë dhe do të luajë me shiritin e kapitenit në krah. Në mbrojtje, krahas Ismajlit e Kumbullës, do të zbresë në fushë edhe Veseli, që do të marrë vendin e Gjimshitit të dëmtuar, pasi edhe në Hungari tregoi se është në formë mjaft të mirë.

Në mesfushë do të konfirmohen katër nga 5 titullarët e përballjes ndaj Hungarisë, me Hysajn e Trashin nga krahët dhe Gjasulën e Baren në qendër, ndërsa Nedim Bajrami do të luajë nga minuta e parë në vendin e Çekiçit të pezulluar.Ndryshon totalisht sulmi, pasi vendin e Cikalleshit pritet ta marrë Rey Manaj, i cili është edhe lojtar i ngjashëm me kavajasin, pasi di të luajë me shpinë nga porta dhe të krijojë hapësira, ndërsa në krah të tij do të luajë sulmuesi më në formë i momentit te kuqezinjtë, Armando Broja.

Forma e tij e mirë, me tre gola dhe dy asiste në 81 minuta të luajtura në tre ndeshjet e fundit, ka bërë që trajneri Edi Reja të mos guxoja të lërë sërish në pankinë, aty ku ndaj Polonisë do të ulet beratasi Myrto Uzuni, i cili do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në ndeshje e sipër.Sfida Shqipëri-Poloni do të startojë në orën 20:45 në “Air Albania” dhe SuperSport 2, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar kombëtares “Kuqezi”, që do të sjellë opinione, analiza, parashikime e intervista të protagonistëve.